
Tentoi të kontrabandonte në Shqipëri veshje dhe aksesorë të ndryshëm, si dhe disa fatura me vlerë rreth 14 300 dollarë, arrestohet një person në Rinas.
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, është goditur një rast i kontrabandës së mallrave.
Në bazë të analizave të riskut, në hyrje, u kalua për kontroll shtetasi amerikan H. Z., 23 vjeç.
Gjatë kontrollit në valixhet e këtij shtetasi, janë gjetur mallra të ndryshme që ai nuk i kishte deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje dhe aksesorë të markave të ndryshme ora dore, syze dielli, çanta etj., dhe disa fatura me vlerë rreth 14 300 dollarë, ndërsa vlera e mallrave shkonte në 150 mijë euro.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Z., 23 vjeç, banues në SHBA, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



