
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e Valter Lleshit, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së hënës në zonën e Repsit, në Mirditë.
Korrespondenti Juli Simoni, në një lidhje për “MCN Live”, tha se veprimet hetimore dhe dëshmitë e mbledhura deri më tani kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të viktimës përpara atentatit.
Sipas të dhënave hetimore, 45-vjeçari ka dalë nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe, së bashku me një koleg pune, është nisur drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku ishte i punësuar.
Rreth dy kilometra para vendit ku ndodhi krimi, kolegu i tij ka zbritur në një lokal, ndërsa Lleshi ka vijuar rrugën i vetëm.
Hetuesit dyshojnë se lëvizjet e viktimës janë monitoruar nga autorët që në momentin kur ai ka dalë nga banesa dhe se atentatorët i kanë zënë pritë në një kthesë të rrugës.
Valter Lleshi u ekzekutua me armë zjarri brenda automjetit të tij tip “Toyota”, në fshatin Shkorret, përgjatë aksit rrugor Reps–Spaç.
Ai është qëlluar me breshëri automatiku teksa po shkonte në punë, duke pësuar plagë të shumta që i shkaktuan vdekjen në vend.
Në vendngjarje janë gjetur 18 gëzhoja. Viktima është konstatuar nga një punëtor tjetër që po shkonte në punë, i cili ka njoftuar menjëherë policinë.
Lleshi ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç, ndërsa automjeti ku u gjet i vrarë rezulton në pronësi të kompanisë.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me dyshimet se 45-vjeçari mund të ketë pasur lidhje ose dijeni për ngjarje kriminale të ndodhura vitet e fundit në Mirditë.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu një episod të muajit mars, kur një mjeti të tonazhit të rëndë që drejtohej nga Lleshi iu vendos lëndë plasëse, e cila nuk arriti të shpërthente.
Pranë vendit të ngjarjes nuk ka kamera sigurie, ndaj policia ka zgjeruar perimetrin e kontrolleve dhe po verifikon pamjet filmike të siguruara përgjatë segmentit rrugor Reps–Spaç, me qëllim identifikimin e autorëve.



