
Urat në Shqipëri janë nën monitorim të vazhdueshëm dhe në lidhje me to nuk ka asnjë situatë emergjence. Pas frikës që përhapi edhe në Shqipëri ngjarja e pak ditëve më parë në Xhenova të Italisë, drejtori i ARRSH-së, Afrim Qendro, në një dalje për mediat, thotë se në Shqipëri nuk ka arsye për panik. “Nuk jemi në panik, as në emergjencë dhe as në alarm. Jemi në monitorim të vazhdueshëm”, tha ai.
Megjithatë, Qendro thotë se janë disa urat në Shqipëri që kërkojnë ndërhyrje.
“Nga analiza që bën ARRSH, pavarësisht ngjarjes që ka ndodhur në Itali, ne kemi kërkuar në buxhet që vitin e kaluar për të bërë projekte për urat të cilat janë më problematike në Shqipëri, që kërkojnë ndërhyrje. Janë bërë të njohura në shtyp se cilat janë këto objekte. Është hapur një garë që është në proces final. Brenda dy javëve do kemi kontratën me kompaninë fituese që do bëjë projektin me të gjitha elementët teknikë që duhet të bëjmë ne ndërhyrje për urat sipas listës”, tha Qendro.
Lista e urave problematike
Ura Leklit
Ura e Dragotit
Ura e Vorës
Ura e Tapizës
Ura e Zëmblakut
Ura e Kalulit
Nyja në disnivel e në Bushnesh
Ura lidhëse e Levan-Tepelenë dhe Dragot-Përmet



