
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për buxhetin e vitit 2021.
Sipas qeverisë miratimi i buxhetit siguron blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se si Qeveri kanë marrë për bazë disa amendamente të deputetëve të partive të ndryshme parlamentare për Buxhetin 2021.
Ajo ka bërë të ditur se janë parashikuar 40 milionë euro shtesë për vaksinat kundër Covid-19.
“Kriza me pandeminë Covid-19 siç duket do të vazhdojë edhe në tre muajt e parë të vitit 2021. Ne së bashku ishim në Komisionin për Buxhet dhe Financa, aty nga të gjitha grupet parlamentare u aprovuan disa amendamente që janë si çështje si ma vitale. Psh, reflektuam koston e vaksinës që nuk ka qenë e inkorporuar në Buxhet, sepse në kohën kur e kemi përgatitur buxhetin nuk kanë qenë të aprovuar vaksinat. Do të thotë janë 40 milionë plus financim nga jashtë për koston e vaksinës në mënyrë që të blihen doza për të gjithë qytetarët e vendit”, tha ajo.
Nga ana tjetër kryeministri Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se miratimi i buxhetit siguron blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro.
Ai tha se buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021.
“Miratohet buxheti për vitin 2021, i cili siguron stabilitet për funksionimin e institucioneve, financim të duhur për shëndetësi për luftimin e pandemisë, përfshirë blerjen e vaksinave anti-Covid me 40 milionë euro. Buxheti siguron financim të rregullt të arsimit, drejtësisë, sigurisë dhe mbrojtjes, kulturës, rinisë dhe sportit, financimin e rregullt të skemave sociale dhe pensionale, financimin e projekteve kapitale, financimin e rregullt të buxhetit të komunave. Buxheti siguron zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes për 2021, si dhe kontribuon në kultivimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me partnerët tjerë zhvillimor të Kosovës që ka mumguar në vitet e fundit”, shkruan kryeministri Hoti.



