Një operacion i Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale ka përfunduar me arrestimin e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Bëhet fjalë për Andrea Gjini, i njohur edhe si Andrea Kuqja, 61 vjeç, banues në Belsh, i cili ishte dënuar nga Gjykata e Lucca-s në Itali në vitin 2016 me 15 vjet, 9 muaj e 18 ditë burg për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Plagosje”.
Arrestimi u krye në kuadër të fazës së 86-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, bazuar në informacionet operative të siguruara nga forcat e rendit.
Lokalizimi, identifikimi dhe kapja e tij u realizuan nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Belsh.
Arrestimi provizor i shtetasit Gjini është bërë me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë për të vuajtur dënimin e vendosur nga gjykata italiane.



