Grabitja e armatosur e makinës së një banke të nivelit të dytë në mes të ditës në rrugën e Rinasit ka ngjashmëri me atë të ndodhur disa muaj më parë në të njëjtën zonë. Dinamika e ngjarjes është shumë e ngjashme. Persona të armatosur dalin në rrugë dhe nën kërcënimin e armës marrin sasinë e parave. Më pas, ata largohen me shpejtësi me automjet, të cilin e braktisin pak më tutje pasi i vënë flakën për të zhdukur çdo gjurmë.
Në grabitjen e sotme, dyshohet se kanë qenë dy personat e armatosur, të cilët nën kërcënimin e armës kanë marrë një sasi të madhe parash, e cila mbetet ende e panjohur.
Më 30 qershor 2016, një grabitje e ngjashme ndodhi brenda aeroportit të Rinasit. Tre persona të armatosur arritën t’u merrnin paratë dy kompanive sigurimi që po i transportonin për në pistën e avionëve.
Pas grabitjes, autorët i vunë flakën makinës së tyre në Fushë-Prezë.
