Dy persona janë proceduar penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia, pasi dyshohet se kanë dëmtuar xhamin e një automjeti në qendër të qytetit të Belshit.
Ngjarja ka ndodhur më datë 3 tetor 2025, rreth orës 17:00, ku sipas hetimeve paraprake, shtetasit E. N., 38 vjeç, dhe G. Z., 41 vjeç, për motive të dobëta, kanë goditur me shkop druri automjetin në pronësi të shtetasit S. F., 53 vjeç, duke dëmtuar xhamin e përparmë.
Ngjarja është dokumentuar edhe me pamje filmike.
Pas veprimeve hetimore, E. N. është proceduar penalisht për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ndërkohë, G. Z. është shpallur në kërkim dhe ndaj tij janë ngritur të njëjtat akuza.
Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasi S. F., 53 vjeç, pronari i automjetit, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, pasi nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen në organet e rendit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.



