18 muaj pas arrestimit, një grup avokatësh britanikë janë lejuar që të vizitojnë në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Prokurorët e SPAK lejuan avokatët ndërkombëtarë të Veliajt që ta vizitojnë atë në qeli pas disa refuzimesh, duke u dhënë leje me status vizitori dhe jo si avokat apo si studio ligjore.
Në përfundim të takimit njëri prej avokatëve të huaj tha se gjatë takimit me Veliajn dhe mbrojtësit e tij shqiptarë, kanë koordinuar strategjinë për ankimin që po përgatisin për t’iu drejtuar Gjykatës së Strasburgut.
Ndërsa avokati Plarent Ndreca tha se brenda muajit shtator do të kenë gati ankimin për masën e sigurisë, ndërsa shtoi se ekipet e studios ligjore amerikane nuk janë lejuar ende të takohen me Veliajn
Avokati Benjamin Brandon, “Ne e kemi përfaqësuar Erionin gjatë gjithë kësaj kohe, por kjo është hera e parë që na është lejuar ta vizitojmë, pavarësisht kërkesave të përsëritura që kemi bërë. Megjithatë, jemi shumë mirënjohës ndaj autoriteteve që më në fund na lejuan të takonim klientin tonë në paraburgim dhe sot zhvilluam një takim shumë produktiv.
Gjatë takimit të sotëm diskutuam aplikimin që synojmë të paraqesim në Gjykatën e Strasburgut, pra në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në emër të tij, për t’u ankuar lidhur me ndalimin dhe vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim.
Shpresojmë që vendimet që do të merren nga gjykatat shqiptare të përshpejtohen dhe procedurat të ecin sa më shpejt, në mënyrë që ai të lirohet dhe të mund të vazhdojë jetën e tij të përditshme, jetën familjare, si edhe ushtrimin e funksionit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur në mënyrë demokratike”.
Avokati Plarent Ndreca: “Kolegët nga Anglia kanë ardhur për herë të parë të diskutojnë me Erionin pas tetë muajsh, pas shumë kërkesash. Ekipi amerikan ende nuk është lejuar të vijë për të vizituar Erionin.
Biseda e sotme ishte më së shumti në lidhje me aplikimin që do të bëjmë për çështjen e masës së sigurisë në Gjykatën e Strasburgut.
Korrëm një fitore në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë jo të gjitha pikat janë pranuar dhe për këto ne do të shkojmë në Strasburg. Për emërimin e z.Dado ne do ta apelojmë vendimin e Shkallës së Parë”.



