
Vihen në pranga dy të dyshuar për pengmarrjen 10 ditë më parë në Kamëz, ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë nga pengu, Jan Prenga.
Leonard Hajri u arrestua ditën e sotme pas aksionit të Policisë dhe forcave RENEA në zonën e Shijakut, në një kompleks "Golden" në pronësi të tij dhe të vëllait Altin Hajri, ky i fundit i shpallur poashtu në kërkim. Në pranga ra edhe djali i tyre i xhaxhait.
Policia kishte dyshime se Prenga mbahej peng pranë këtij kompeksi për evente, ndërsa raportohet se në kompleksin e tyre u sekuestruan edhe tre armë zjarri.
Dyshohet se pengmarrja e tij lidhet me aktivitetin kriminal të dy vëllezërve të tij të cilët aktualisht ndodhen në burg në Angli të arrestuar për trafikim lëndësh narkotike.
Prenga u rrah dhe më pas u mor peng nga dy vëllezërit Altin dhe Leonard Hajri me makinë, në rrugën “London” 10 ditë më parë.
Para pengmarrjes ka pasur një konflikt me sende të forta mes 2 pengmarrësve dhe 49 vjeçarit, ku njëri prej tyre ka mbetur dhe i plagosur pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur shenja gjaku.
Aktualisht ende nuk ka asnjë gjurmë të personit të rrëmbyer, sakaq kujtojmë se 2 ditë pas rrëmbimit automjeti i autorëve “Range Rover” i denoncuar i vjedhur, është gjetur i djegur në Durrës.
Pista kryesore që po hetohet aktualisht është lidhja me vëllezërit e tij dhe pazaret e tyre të pambyllura të drogës.



