
Breshëri i rënë gjatë natës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonën e Zavalinës, pranë Gjinarit në Elbasan, duke goditur rëndë sektorin e bujqësisë, veçanërisht pemëtarinë.
Sipas korrespodentës së “MCN Live” në Elbasan, Entela Duka, stuhia ka dëmtuar rëndë pemët frutore dhe kulturat bujqësore, duke u shkaktuar humbje të mëdha fermerëve të zonës.
Breshëri ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme të mbjella, duke rrezikuar prodhimin e këtij sezoni.
Ndër kulturat më të prekura janë specat, domatet dhe kastravecët, ndërsa dëme të mëdha kanë pësuar edhe pemët frutore të stinës.
Sipas banorëve, shumë prej frutave janë rrëzuar në tokë, duke e bërë të pamundur tregtimin e tyre.
Dëmet janë të konsiderueshme. Presim që një grup ekspertësh të vijë në terren për të bërë verifikimin dhe vlerësimin e plotë.
Deri tani nuk ka një shifër zyrtare për dëmet, por fermerët shpresojnë që të mbështeten me subvencione për të përballuar humbjet.
Banorët dhe fermerët po vijojnë të evidentojnë pasojat e motit të keq, ndërsa pritet që autoritetet përgjegjëse të hartojnë një bilanc zyrtar pas inspektimeve në terren.



