Gjashtë persona janë arrestuar në Kukës për kalim të emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria drejt Kosovës me qëllim vendet e BE.
Të arrestuarit janë nga Tirana, Kukësi, Shkodra e Prishtina kurse një prej tyre është proceduar në gjendje të lirë.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Morina”, për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës goditën 7 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. M., 32 vjeç (i dënuar më parë), J. V., 35 vjeç dhe A. S., 29 vjeç, të tre banues në Tiranë; M. O., 28 vjeç, banues në Kukës; A. S., 26 vjeç, banues në Shkodër; F. F., 52 vjeç, banues në Prishtinë.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi F. M., 54 vjeç, banues në Tiranë.
Këta persona janë arrestuar në flagrancë, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjete të ndryshme, emigrantë të paligjshëm, që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi i arrestuar B. M., i cili ka qenë i dënuar më parë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, ishte person i shpallur në kërkim nga DVP Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Në momentin e ndalimi u konstatua se ky shtetas drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 automjetet.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.



