Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Tranzit 50”, ka vënë në pranga tre persona të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar 50 klandestinë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i D. Ll., 24 vjeç, M. B., 30 vjeç, dhe M. Gj., 25 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi D. Sh., 29 vjeç.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në fshatin Mëzez, në rrugën “7 Nëntori”, kanë konstatuar mjetet me drejtues shtetasit M. Gj., dhe M. B., brenda të cilëve ndodheshin 50 shtetas të huaj.
Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit M. Gj., M. B., D. Ll., dhe D. Sh., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kundrejt përfitimeve monetare, do t’i transportonin 50 emigrantët e paligjshëm nga Tirana në drejtim të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 50 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet dhe 6 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



