Një skemë mashtrimi në të cilën është përfshirë fondi Besa është zbuluar falë hetimeve të Antikrimit Ekonomik në Tiranë. Pre kanë rënë 11 qytetarë. Një 34-vjeçar i identifikuar si Ledio Vrapi, banues në Gjermani është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest në burg në mungesë, për akuzën e mashtrimit.

Ndërkohë, në arrest shtëpie për mashtrim janë vënë 3 punonjësit e Fondit Besa: Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi. Në skemë rezulton e përfshirë edhe noterja Majlinda Demollari, për të cilën Gjykata e Tiranës po ashtu ka vendosur masën arrest shtëpie, si edhe i është vendosur masa e "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.

34-vjeçari Ledio Vrapi u kërkonte personave të hapnin llogari bankare në emër të tyre pranë disa bankave të nivelit të dytë në vendin tonë. Pasi hapnin llogaritë bankare, për të cilat 34-vjeçari u kishte thënë se do të hidhte shuma parash që i kishte përfituar nga emigrimi në Gjermani, por nuk donte që të gjitha këto para të kalonin të gjitha në emrin e tij pasi nuk donte që të tërhiqte vëmendjen e autoriteteve shtetërore, në bashkëpunim me punonjëset e Fondit Besa, 34-vjeçari ka arritur të marrë kredi në vlerat 5 deri në 7 mln lekë të vjetra.

Qytetarët i kanë tërhequr këto para dhe ia kanë dorëzuar 34-vjeçarit, pa e ditur se ishin mashtruar dhe se këto shuma të mëdha parash ishin përftuar në ‘kurriz’ të tyre. Si shpërblim për favorin e bërë, 34-vjeçari u kanë dhënë vetëm nga 500 mijë lekë të vjetra secilit.