
Vihet në prangat e policisë së Britanisë së Madhe porositësi i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, dhe dy shtetas anglezë të përfshirë në ngjarje në rolin e vëzhguesve.
Gjatë emisionit Fact Check, gazetari Arsen Rusta raportoi arrestimin e të dyshuarit si porositës për krimin, Edmond Haxhia.
Në prangat e policisë kanë rënë Thomas Mithan dhe Stephen Hunt, ndërkohë që vijojnë ende të jenë në kërkim dy shtetas anglezë si dhe portugezi i dyshuar si ekzekutor, Ruben Saraiva.
Nga hetimet e policisë dyshohet se shkak për vrasjen e Nikulaj është bërë gjakmarrja mes dy fiseve dhe gjithçka është organizuar nga Edmond Haxhia, duke pajtuar përkundër pagesës vrasësin e dyshuar portugez.
Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin, mesditën e 19 prillit.
Njoftimi i policisë
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.
Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.
Lidhur me arrestimet e fundit ka reaguar ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, duke përgëzuar policitë e dy vendeve:
Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë.
Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale.
Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë.



