Detaje të tjera janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mëngjesin e kësaj të mërkure në Koplik, ku si pasojë e shpërtyhimit të bombolës së gazit u plagos Sadete Kukaj. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit në fshatin Palvar.
Në momentin e shpërthimit Sadete Kukaj ka qenë me familjen në shtëpi dhe ka marrë dëmtime të rënda në trup.
Fqinji i familjes Kukaj, Ymer Ibrahimi në një prononcim për mediat ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja dhe se si i nxori nga shtëpia djalin dhe të ëmën.
Kam qenë duke mbushur ujë dhe më thirrën. Kam thyer xhamin dhe derën. Mendoja për djalin. Hipa prej shkallëve tek dhoma sipër, vura shkallë druri. Mora zorrën e ujit dhe po e hidhja në kuzhinë. Zonjën e shtëpisë e kemi gjetur në tokë. Ambulanca erdhi dhe policia. Bëhet fjalë për bombolën e gazit, ne nuk dëgjuam gjë.
Ndërkohë vëllai i Sadetes, Can Kukaj thotë se motra e tij fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka pësuar djegie në gjoks, krah dhe fytyrë.
Po bënte mëngjesin për djalin dhe burrin. Ka ndodhur fatkeqësia. Është djegur në pjesën e gjoksit pak, krahu është djegur shumë, në fytyrë pak. Nuk është në gjendje kritike për jetën.
Nga pamjet e siguruara deri tani shihet se është shkrumbuar totalisht kati i parë i banesës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e repartit zjarrëfikës, të cilët kanë bërë të mundur lokalizimin e vatrës së zjarrit.



