
Shqipëria ka marrë drejtimin e Presidencës së Grupi të Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG-RRD), për vitin 2022.
Në kuadër të kësaj nisme, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rajonal, Frida Krifca, ka zhvilluar në Tiranë, Asamblenë e SWG-së, bashkë me 15 homologët e saj nga Evropa Jug-Lindore.
Ministrat e Bujqësisë nga vendet e EJL theksuan vullnetin e plotë për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve, jo vetëm në hartimin e strategjive rajonale, por edhe në krijimin e mekanizmave të duhur administrativ dhe financiar, për të zhvilluar më tej hapësirën rurale.
Në këtë kontekst, ata u dakordësuan mbi rëndësinë e padiskutueshme që mbart politika e përbashkët bujqësore e Bashkimit Evropian (CAP), jo vetëm si një katalizator zhvillimi për vendet e BE-së, por edhe për Shqipërinë.
Në fjalën hapëse, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, i njohu ministrat me objektivat e Shqipërisë për Presidencën gjatë 2022, duke theksuar prioritetet e kësaj të fundit si Agjenda e Gjelbër, bashkëpunimi Rajonal dhe Evropian, bashkëpunimi ndërkufitar, si dhe përfshirja e të rinjve dhe grave në sipërmarrje.
Gjithashtu, ministrja Krifca theksoi se fondet IPARD kanë ndihmuar në transformimin e bujqësisë shqiptare si promotor zhvillimi, formalizimi dhe standardizimi në përafrimin me BE.
Më tej, diskutimi u ndal edhe tek aplikimi i teknologjisë, duke e vlerësuar si të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në të gjitha vendet.
Duke vlerësuar rezultatet pozitive të mandatit të Republikës së Serbisë në presidencën e kësaj asambleje, Krifca shprehu vullnetin e plotë të Shqipërisë për të konkretizuar më tej politikat në favor të rritjes së tregtisë rajonale dhe më gjerë.
SWG (Standing Working Group) është një platformë networku për vendet e Europës Juglindore, me fokus për Zhvillimin Rural Rajonal.
Gjithashtu, SWG, në bashkëpunim me institucione të tjera ndërkombëtare, asiston në analiza në zhvillimin e politikave bujqësore në vendet e Ballkanit Perëndimor.



