
Një sherr mes një grupi të miturish ndodhi paraditen e sotme në shkollën “Besnik Hidri” në fshatin Shënavlash, në Durrës.
Korrespondentja Ervina Garo tha për “MCN Live” se disa nxënës të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin pas ofendimeve të ndodhura në rrjetin social Snapchat.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, ndërsa me ndërhyrjen e menjëhershme të oficerit të sigurisë dhe stafit pedagogjik është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit.
Si pasojë e përplasjes është dëmtuar lehtë një 15-vjeçar.
Mësohet se konflikti nisi mes dy grupeve të të rinjve, të cilët u përfshinë në përplasje fizike pas komenteve dhe ofendimeve në Snapchat.
Sipas informacioneve paraprake, zona ku ndodhet shkolla përfshin nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme dhe përplasja ka ndodhur pikërisht mes dy grupeve të tyre.
Ndërhyrja e menjëhershme e oficerit të sigurisë ka shmangur përshkallëzimin e situatës, ndërsa mësohet se njëri prej të rinjve ishte i pajisur edhe me thikë.



