Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve disa javore të zhvilluara në kuadër të një procedimi penal në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blue Punisher”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Elvis Lezo, 42 vjeç dhe Bujar Lezo, 59 vjeç, banues në Tiranë, të afërm me njëri-tjetrin.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në banesën e këtyre shtetasve, në rrugën “Ali Demi”, ku kanë konstatuar një ambient që ata e kishin përshtatur për përgatitjen e tabletave të lëndës narkotike ekstazi (MDMA), me qëllim shitjen në lokalet e natës.
Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2200 tableta me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi (MDMA) dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



