Gjykata e Kurbinit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Ilir Xhepajn, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në sulmin me armë të 30 majit, ku u vranë dy biznesmenë në një hotel në Kurbin.
Policia e vuri në pranga 33 vjeçarin nga Kurbini në orët e para të mëngjesit të djeshëm, për vrasjet e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.
Xhepaj akuzohet gjithashtu edhe për një plagosje tjetër me armë zjarri po në Laç, ngjarje e ndodhur më 15 maj ku mbeti i plagosur shtetasi me iniciale Z. M.
Sipas hetuesve, gjatë aksionit për vrasjen e dy biznesmenëve morën pjesë katër persona. Eduart Lamaj i arrestuar, dyshohet si atentatori kryesor.
Gjatë sulmit me armë ai u plagos në këmbë dhe u kap ndërsa po mjekohej në një klinikë në Tiranë.
Sipas hetuesve, Xhepaj ka mbajtur të neutralizuar dy djemtë e njërit prej viktimave, duke mos i lejuar ata të dalin nga makina e tyre “Range-Rover”, ndërsa ndaj babait organizohej vrasja brenda hotelit.
Pasi Lamaj u plagos, Xhepaj bashkë me të kërkuarin tjetër, Elson (Oltion), Alija (Vlashi), hynë brenda dhe nxorën të plagosurit prej andej, për t’u larguar më pas me shpejtësi.
Xhepaj konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë në Mamuras dhe Kurbin. Ai është nga fshati Gjorm, i Mamurasit dhe autorët, por edhe Bujar Hasani njiheshin me njëri-tjetrin për shkak se janë nga e njëjtat zonë.
Xhepaj kishte vetëm tre muaj që ishte liruar nga burgu dhe jetonte mes Tiranës, Laçit dhe Lezhës.
Policia ra në gjurmët e tij, pasi përgjonte telefonin e bashkëshortes. Kjo e fundit foli me një person për një banesë me qira në zonën e Astirit në kryeqytet.
Policia ra në gjurmë të të kërkuarit dhe e arrestoi atë.



