
Sot në Kosovë shënohet 27-vjetori sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt, të cilën ranë heroikisht më 5 mars të vitit 1998.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 33 të lagjes dhe të tjerë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës.
Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-s, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në 27-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Po ashtu, Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë solemne me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, me të vetmen pikë të rendit të ditës për shënimin e këtij përvjetori.




