45-vjeçari i dyshuar për vrasjen e 50-vjeçarit shqiptar në Selanik të Greqisë, ka dëshmuar për ngjarjen e ndodhur mesditën e së enjtes pranë një karburanti në qytet. Ashtu si viktima, edhe autori është me shtetësi shqiptare, ndërsa ai ka treguar për hetuesit se nuk ka patur për qëllim ta vriste bashkëkombasin e tij. Mes tij dhe viktimës ka patur njohje të mëparshme, ndërsa sipas tij, u detyrua ta qëllonte për vdekje pasi ishte kërcënuar. “Nuk kam patur motiv ta vrisja. Kohët e fundit kam marrë kërcënime për jetën nga viktima. Ka patur dy incidente të dhunshme ndaj meje nga ana e viktimës, dhe jashtë karburantit u sulmova sërish nga i ndjeri”, ka deklaruar në polici 45-vjeçari. Ky i fundit ka hematoma dhe të nxirra në kokë për shkak të goditjeve me zinxhir nga ana e viktimës para se të qëllohej me armë. Autori i ka treguar policisë edhe vendin se ku ka braktisur makinën me të cilën u largua pas krimit, si dhe ku ka fshehur pistoletën me të cilën vrau 50-vjeçarin, armë për të cilën tha se e bleu pas kërcënimeve.



