Gazmend Brakaj, i njohur me nofkën “Gaxhai”, i është drejtuar gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për uljen e dënimit me 90 ditë.
Kërkesa është depozituar me 6 mars 2020 dhe në datën 8 korrik 2020, gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi ka vendosur të pushojë gjykimin për uljen e dënimit të “Gaxhait”, për shkak se nuk ishte paraqitur avokati i tij mbrojtës.
Nëpërmjet këtyre kërkesave për ulje dënimi dhe nëse ato do pranohen nga gjykata, “Gaxhait” shumë shpejt i hapet rruga për të kërkuar lirimin me kusht pasi llogaritja e dënimit fillon qysh prej datës 29 qershor 1999 kur është arrestuar në Durrës, vetëm pak momente pas vrasjes së dy shokëve të Lulzim Berishës, Ilir Paja dhe Arben Xhunga.
Gaxhai është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe vuan dënimin në burgun e Peqinit.
Ai ka dy dënime me burg përjetë, i pari i është dhënë për vrasjen e Ilir Pajës dhe Arben Xhungës, dy shokëve të Lulzim Berishës në Durrës dhe i dyti për vrasjen e Bashkim Dules, Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Dhimitraq Mishka, Zini Haruni, Robert Myftari dhe policit Viron Rrapaj.
Të dyja këto vendime, “Gaxhai” në datën 23 mars 2018 i ka bashkuar në një të vetëm.



