
Ekstradohet nga Britania e Madhe 42-vjeçari Lekë Prendi, vrasësi i priftit nga Puka, Gjovalin Prendi gjatë një grabitjeje autobusi në Kukës.
Lekë Prendi, i njohur edhe me ermat Aleks Kola dhe Nikolin Pacani, është dënuar nga Gjykata e Apelit Shkodër me 21 vjet burgim dhe rezultonte në kërkim ndërkombëtar. I gjykuar për veprat “Vrasja” e kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me pasojë vdekjen” dhe “Armëmbajtja pa leje”, ai tashmë do ta vuajë dënimin në njërin nga burgjet shqiptare.
Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga specialistët e Interpol Tirana, falë koordinimit dhe bashkëpunimit me autoritetet policore të Mbretërisë së Bashkuar, u bë ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit: Lekë Prendi alias Aleks Kola alias Nikolin Pacani, 42 vjeç”.
Mbërritjes së tij në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri i paraprin një betejë e vërtetë gjyqësore me shtetin shqiptar në Britani.
Lekë Prendi përdorte atje emër të rremë, në të gjitha proceset gjyqësore të ekstradimit që nga viti 2013.
Gjykata e ekstradimeve Westminster Magistrates’ Court, vendosi që ai të ekstradohej por çështja mbërriti në Gjykatën e Lartë angleze “High Court” e cila e bllokoi ekstradimin në vitin 2015.
Ministria e Drejtësisë në Shqipëri lëshoi një urdhër të ri për arrestimin e tij duke sjellë një provë të re përpara gjykatës.
Lekë Prendit i ishin marrë shenjat e gishtërinjve në Itali kur fshihej atje përpara se të mbërrinte në Angli.
Në Itali, Prendi kishte deklaruar se quhej Nikolin Pacini. Gjykata arriti në përfundimin se Aleks Kola dhe Lekë Prendi ishte i njëjti person dhe se duhet të ekstradohej.
Kjo i hapi rrugë firmosjes së dokumentit final që bëri të mundur rikthimin e tij në atdhe.



