
Dy turistet që humbën jetën këtë të martë në Qafën e Valbonës, njëra belge e identifikuar si Baets Myrthe, 25 vjeç dhe tjetra franceze, mësohet se ishin nisur për hiking nga Thethi, po pa një udhërrëfyes. Sipas burimeve, mësohet se dy të rejat pasi kanë lënë Thethin, kanë kaluar në pjesën malore, aty ku janë përballur me dëborën.
Me mungesën e informacionit mbi zonën ku po eksploronin, turistet kanë kaluar përmes dëborës ku edhe dyshohet se kanë rrëshkitur, për t’u rrëzuar më pas në greminë ku dhe janë dogitur nga një ortek dëbore. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar banorët e zonës dhe forcat e policisë.
Ngjarja ka ndodhur në të njëjtin vend ku në 10 Maj të vitit të kaluar humbi jetën një turist gjerman. Aktualisht policia dhe forcat e Emergjencave Civile po punojnë për nxjerrjen trupave, ndërsa terreni është shumë i vështirë si pasojë e motit të keq.
Po për shkak të terrenit të vështirë, në vendngjarje edhe helikopteri nuk ka mundur të ulet në vendin ku janë gjetur të pajeta turistet.



