Policia e Divjakës ka arrestuar në flagrancë një 23-vjeçar i cili u kap duke i shitur doza kanabisi një të riu.
Bëhet me dije se gjatë kontrolleve në banesën e të riut policia ka gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, të ndarë në 267 doza, të gatshme për shitje.
Po ashtu ka nisur procedimi penal për 20-vjeçarin që po i blinte ato.
Njoftimi: Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Done deal”.
Si rezultat i informacioneve nga inteligjenca policore, goditet në flagrancë një rast i shit-blerjes së dozave të kanabisit.
Arrestohet 23-vjeçari që po shiste dozat dhe procedohet në gjendje të lirë 20-vjeçari që po i blinte ato.
Sekuestrohet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në 267 doza, me qëllim shitjen.
Në vijim të operacioneve antidrogë, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Done deal”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 2, Divjakë, u kap në flagrancë shtetasi teksa i shiste doza cannabisi, shtetasit tjetër. Në vijim, gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, të ndarë në 267 doza, të gatshme për shitje.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u arrestua shtetasi 23 vjeç, u procedua në gjendje të lirë shtetasi 20 vjeç, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, dozat e lëndës narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të metejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.



