
Policia e Shkodrës ka arrestuar njërin prej autorëve të dyshuar, i cili ka marrë pjesë në dhunimin e drejtorit të AKU Shkodër.
Në pranga ka rënë një shtetas me mbiemrin Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” në Shkodër.
I ndaluari nga efektivët e Shkodrës dyshohet se është personi i cili ka dërguar me automjet, personin tjetër që ka goditur me send të fortë drejtorin e AKU, Ramir Haderi.
Ndërkohë policia e Shkodrës ka bërë identifikimin edhe të personit tjetër që dyshohet si autori kryesor që ka dhunuar Haderin dhe është shpallur në kërkim ndërsa po punohet për gjetjen dhe kapjen e tij.
Ngjarja ndodhi më 21 maj në orët e mbrëmjes kur në lagjen “Rus” drejtori i AKU Ramir Haderi u godit nga një person dhe më pas u largua në drejtim të paditur.
Haderi mori një plagë në vetull dhe pas mjekimit në spital u largua në shtëpi.
Një ditë pas ngjarjes drejtori Haderi reagoi duke thënë se asgjë nuk do ta ndalë. Dhunimi i tij dyshohet se erdhi për shkak të detyrës ndërsa shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje dyshohet se janë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë. Policia vijon punën për ta zbardhur të plotë ngjarjen.



