
Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka ndodhur në Malin e Llogarasë, ku një tufë prej 22 kuajsh të lirë është qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër të paprecedentë ndaj kafshëve të pambrojtura.
Sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve të mbrojtjes së kafshëve, katër kuaj kanë ngordhur në vend nga plagët e marra, ndërsa të tjerët janë shpërndarë të traumatizuar në zonat pyjore përreth, disa prej tyre të plagosur dhe në nevojë urgjente për ndihmë veterinarë.
Deri tani, pronarët nuk kanë arritur t’i lokalizojnë të gjithë kuajt, pasi pjesa më e madhe e tufës ndodhet ende e fshehur në pyll.
Pamjet nga vendngjarja janë tronditëse dhe dëshmojnë qartë aktin e rëndë të dhunës ndaj këtyre kafshëve të pafajshme.
Banorët e zonës bëjnë me dije se nuk është hera e parë që kafshët në këtë territor qëllohen me armë, por ngjarja e fundit ka ngjallur zemërim të madh publik.
Aktivistët dhe komuniteti lokal po bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve.



