Një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën Lushnjë–Fier, pranë zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”, ku janë plagosur dy persona.
Sipas të dhënave paraprake, një çift bashkëshortësh që po udhëtonte me motoçikletë është përplasur me një automjet tip Range Rover. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur në momentin kur të dy mjetet po kryenin manovrën e parakalimit të një mjeti bujqësor.
Për pasojë, drejtuesi dhe pasagjerja e motoçikletës kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, ku po marrin trajtim mjekësor.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të përplasjes. Gjendja shëndetësore e të plagosurve nuk është bërë ende e ditur.



