Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Operacioni i koduar “Rezultati”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 1 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, ka çuar në sekuestrimin e 5 makinave të lojërave, 4 celularëve dhe një shume prej 50 000 lekësh.
Operacioni u zhvillua në një lokal në rrugën “Petro Nini Luarasi”, i cili ishte përshtatur posaçërisht për organizimin e lojërave të fatit me pajisje elektronike dhe celularë. Në përfundim të kontrolleve u arrestuan në flagrancë 3 shtetas: M. D., 21 vjeç, administrator i lokalit, A. Z., 24 vjeç dhe Xh. Gj., 21 vjeç.
Dy të fundit u kapën në momentin që po luanin lojëra fati.
Nga hetimet rezulton se ambienti ishte përshtatur si një qendër bastesh dhe lojërash elektronike të paligjshme, në kundërshtim me ligjin për ndalimin e organizimit të lojërave të fatit në territorin shqiptar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.



