
Ervin Karamuço, pedagog i kriminalistikës në studion e lajmeve në ‘MCN Live’ teksa ka komentuar lidhur me atentatin e bërë mbrëmjen e djeshme ndaj banesës së kreut të FSHF-së Armando Duka deklaroi se duhet të ishin marrë masa paraprake për mbrojtjen e tij që nga momenti kur ai mori mesazh kërcënimi.
Ndër të tjera Karamuço tha se nëse kemi të bëjmë me një shpërthim me telekomandë, atëherë sipas tij ky është një krim i organizuar, por që mbetet për tu verifikuar.
I kam ndjekur debatet në distancë për grupet rivale për kreun e FSHF, në lojë hyri dhe bashkia dhe ngjarja ngulmoi dje me shpërthimin e lëndës plasëse në banesën e Dukës. Në fakt duhet të kishte një veprim paraprak me parandalimin e këtyre ngjarjeve që në momentin që drejtuesi i FSHF është kërcënuar por nuk ka denoncuar. Vlen për tu konsideruar se kur ka pikë vlimi të lartë debatesh është e mira të mbahen në mbikëqyrje këto personalitete sepse një ngjarje e tillë delegjimon gjithçka, një ngjarje kriminale që tashmë ka shkuar deri në derën e familjes.
Kamerat kanë kapur një person por ajo nuk duhet të jetë e vetmja kamerë por të shoqërohet me disa filmime të tjera për të dalë në identifikimin e tij se për aq kohë sa nuk kemi pamje të tjera do mbetet e vështirë për tu zbardhur. Nëse vërtetojmë se është një shpërthim me telekomandë atëherë këtu kemi të bëjmë me një krim të organizuar.



