Një 36-vjeçar është arrestuar nga Policia në Cërrik, pasi dyshohet se në bashkëpunim me nipin e tij 15 vjeç ka vjedhur me thyerje një shumë parash në një dyqan në lagjen nr. 2.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pas marrjes së denoncimit, organizuan menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikuan shtetasit A. M., 36 vjeç, dhe nipi i tij i mitur.
Në përfundim të veprimeve, A. M., banues në lagjen nr. 2, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Ai rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Ndërsa për 15-vjeçarin nisi procedimi penal për të njëjtën vepër.
Nga hetimet dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 2 mars 2026, ata kanë thyer dhe kanë vjedhur një shumë parash në dyqanin e shtetasit F. H., 57 vjeç.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin O. Z., 19 vjeç, vëllai i të miturit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan, për veprime të mëtejshme.



