Policia e Shkodrës ka arrestuar një 48-vjeçar, i cili është kapur duke qarkulluar me armë zjarri në publik. Operacioni për kapjen e tij është koduar “Bërdica”.
“Lëvizte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë gjatë operacionit, 48-vjeçari. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që lëvizte me armë zjarri me vete ishte futur në një lokal në Bërdicë, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar ‘Bërdica’”, njoftoi policia.
Në kuadër të këtij operacioni, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi B. K., banues në fshatin Berdicë, Shkodër. Arrestimi i tij u bë pasi, në një lokal në fshatin Berdicë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se ai mbante me vete një pistoletë tip zastava, me një krehër me 9 fishekë, pa lejen e organeve kompetente.
Arma e zjarrit pistoletë dhe fishekët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.



