
Policia Kufitar e Morinës ka arrestuar një 41-vjeçar kosovar, pasi është kapur me dokumente të falsifikuara.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të PKK Morinë, është kaluar për kontroll në vijën e dytë automjeti tip autobus, ku udhëtonte si pasagjer shtetasi A. M.
Gjatë kontrollit në valixhen e shtetasit A. M., 41 vjeç u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa dokumente të dyshuara të falsifikuara.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B. E., i cili dyshohet të jetë i implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Vijon puna hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, me qellim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.



