Operacioni Forca e Ligjit (OFL) u ka çuar formularët e vetëdeklarimit pesë të dënuarve për vepra të ndryshme penale, dhe u lë atyre afat 48 orë për t’u përgjigjur. Ata janë të dënuar për vrasje, trafik narkotikësh, organizatë kriminale dhe grup i strukturuar.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
- G.H, banues në Shkodër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
- E.J, banues në Bulqizë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim;
- I.T, banues në Durrës, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Vrasja me paramendim”;
- M.Z, banues në Durrës, nën hetim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
- H.S, banues në Durrës, nën hetim për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.



