Zbulohet identiteti i kufomës së gjetur në trajtë eshtre në muajin janar dhe shkurt të këtij viti, në parkun kombëtar të Athinës.
Policia greke bën me dije se nga analizat e ADN-së viktima u identifikua si shqiptari Sokol Koziçi, 42 vjeç nga Shqipëria.
Zhdukja e tij ishte denoncuar në shtator të vitit 2015 nga familjarët, pa u gjetur asnjë gjurmë për kohë të gjatë.
Koziçi jetonte në Santorini ku punonte si hidraulik ku befas kishte ndërmarr një udhëtim me traget drejt Pireut, ndërkohë që nuk dihet si përfundoi në parkun në Athinë i vdekur.
Pranë eshtrave të të ndjerit u gjet një bluzë e gjakosur bashkë me sendet e tij personale. Pista paraprake e hetimit është ajo e vetëvrasjes, ndërsa mendohet se trupi është shqyer nga qentë. Megjithatë për shkak se një pjesë e eshtrave u gjet në janar dhe pjesa tjetër në shkurt, gjysmë të mbuluara në park, nuk përjashton mundësinë e vrasjes.
Vdekja e tij mbetet e veshur me mister, ndërkohë që policia vijon ende hetimet.



