Një 38-vjeçar është vënë në pranga nga policia e Elbasanit, pasi vodhi tre varëse floriri në një argjendari dhe më pas kanosi pronarin e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, i arrestuari është një person me precedentë penalë për krime ndaj personit dhe pasurisë.
Gjatë ndërhyrjes së pronarit për t’i marrë varëset, 38-vjeçari e ka kërcënuar atë që të mos e kallëzonte dhe më pas është larguar me vrap.
Policia bën me dije se operacioni, i koduar “Gold”, u finalizua pas marrjes së njoftimit për vjedhjen në një argjendari në lagjen “Namazgjaja”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe arrestuan shtetasin me inicialet B. H., 38 vjeç, banues në Elbasan, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 25.03.2026.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



