
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin përfundimtar këtë të martë, ndaj dy të pandehurve për ngjarjen e të ashtuquajturës “Masakra e Lushnjës”. Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi, do të vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm, për vrasjen e dy të rinjve dhe plagosjen e dy të tjerëve më 21 tetor të vitit 2021 të vitit 2017.
E gjithë ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të një lokali, shumë pranë komisariatit të Policisë së Lushnjës. Ndërsa autorëve u deshën fare pak sekonda të zbraznin të gjithë karikatorin e kallashnikovit. Në mbështetje të Bilbilit dhe Kaloshit, sipas dosjes hetimore, ka qenë edhe shtetasi Laert Haxhiu, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia.
Mirëpo kush ishte shënjestra e kësaj ngjarje që atë koh alarmoi autoritetet policore? Nga veprimet hetimore, dëshmitë e marra tek familjet e viktimave dhe vetë të të plagosurve, rezultoi se objektiv i sulmit ishte shtetasi Xhulio Shkurti, i njohur si nipi i Aldo Bares. Mirëpo, Xhulio fatmirësisht arriti t’u shpëtonte plumbave. Ai mundi të dallojë autorët nda tavolina që qëndronte ulut dhe u largua pak më herët se shokët e tij që ndodheshin në të njëjtën tavolinë. Të shtënat rezultuan fatal për Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin, ndërsa u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku.

(Në foto: Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi)
Pas gjithë kësaj masakre ku personat e qëlluar gjenden të shtrire në rrugë, xhama të thyer dhe tavolina të përmbysura, autorët u larguan për të djegur dhe humbur gjurmët në një fshat të Lushnjës, në Çukas. Edhe pse kërkimet vijuan me orë e ditë të tëra, policia nuk arrriti të kapte asnjë të dyshuar edhe pse informacionet i kishte marrë rreth identitetit të tyre.
Vrasja e mbetur në tentativë ndaj Xhulio Shkurtit, konkludohet se është kryer për hakmarrje, referuar historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut. Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares alias Alfred Shkurti i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu. Më pas, në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu. Në vitin 2016 Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar të finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses.
Më 10 prill të vitit 2020, një nga personat më të kërkuar në botën e krimit në vendin tonë, bie në prangat e policisë. Ai ishte Orges Bilbili dhe u arrestua në zonën e Xhamllikut në Tiranë, në një kohë kur i gjithë vendi ndodhej në izolim për shkak të pandemisë. Ai u pikas nga një efektiv policie i cili i bëri thirrje për ta kontrolluar pse nuk kishte maskë, por në momentin që ai vrapoi për t’u larguar, e ndoqi duke e plagosur. Më pas Bilbili u vu në pranga.

(Në foto: Momenti kur u arrestua Orges Bilbili)
Anterio Kaloshi u arrestua pak muaj më vonë, në datën 13 gusht, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të një hoteli në Volorekë, 5 ditë para operacionit të policisë që u finalizua në Qesarakë. Kaloshi i kishte shpëtuar policisë mesditën e 10 prillit ku në pranga u vu shoku i tij Orgest Bilbili. Ai jetonte në një apartament me Bilbilin, por arriti t’ia mbathë. /MCN



