Gazetari Andi Bora, kërkon zbardhjen e vrasjes së dyfishtë për gjakmarrje të Kreshnik Mujecit dhe Gentiana Mujecit në Balldren të Lezhës, mesditën e së dielës.
Ai tha për “MCN Live” se policia duhet të tregojë nëse njëri nga të dyshuarit Adriano Mhillaj mbahej në përgjim, për shkak se në muajin janar ishte i përfshirë në përplasje me armë.
Nga ana tjetër Bora kërkon që Prokuroria e Shkodrës të zbardhë dosjen se pse viktima Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij u shpallën të pafajshëm për vrasjen e Genc Mhillaj, çka çoi në ekzekutimin e dy ditëve më parë për hakmarrje.
Adriano Mhillaj 22 vjeç, ka qenë në kërkim që nga janari për një përplasje me armë. Policia dhe strukturat ligjzbatuese kanë informacione të vazhdueshme për këto përplasje si rrjedhojë e hakmarrjes dhe është një historik që daton që nga 2016 me vrasjen e Genc Mhillaj, ku përplasja ka nisur për një bllokim rruge.
Të dyshuarit kryesorë të kësaj historie ishte viktima Kreshnik Mujeci, bashkë me vëllanë e tij Jozef. Por gjykata i deklaroi të pafajshëm dhe Apeli i ka cilësuar të pafajshëm, duke refuzuar ankimimin e prokurorisë Shkodër. Ndërkohë Gjykata e Lartë kërkoi rikthimin e çështjes për rigjykim, çka do të thotë se në gjykimin në dy shkallët e tjera, diçka ka shkuar keq.
Drejtësia nuk ka dhënë një panoramë të qartë për vrasësin e vërtetë të Genc Mhillaj. Kjo është një ngjarje që do kërkonte dy struktura, policia nëse Adriano Mhillaj ka qenë në përgjim dhe në komunikimet e tij është folur për ekzekutimin e Kreshnik Mujecit.
Dhe Prokuroria e Shkodrës të dalë dhe të zbardhë ngjarjen nëse ka qenë me një dosje të plotë për akuzat e vëllezërve Mujeci dhe pse gjykata e ka rrëzuar. Sot janë shndërruar dy të rinj në kriminelë. I detyroi historia e vrasjes së babait të Renato Mhillaj në kriminelë, sepse zona ka një lloj indoktrinimi të Kanunit. Atentati, është mllef i ndërtuar prej vitesh.
Lidhur me vrasjen e së dielës janë shpallur në kërkim Renato Mhillaj, djali i Genc Mihllaj dhe dy djemtë e xhaxhait, Florain dhe Adriano Mhillaj.



