Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi emërtimin e katër rrugëve të reja në kryeqytet me emrat e dëshmorëve Fatos Xhani, Kastriot Feska, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari që u vranë në vitit 2009 në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit.
Sot, në 109-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim të veçantë familjarët e tyre duke iu dorëzuar në mënyrë simbolike edhe një pllakatë me emërtimin rrugëve të reja.
“Një ditë mirënjohje për ata që shërbejnë sot me uniformën e policisë, për ata që kanë shërbyer dhe sidomos për ata që kanë rënë në krye të detyrës. Nëse shumë prej nesh japin energji dhe kohë, disa kanë dhënë jetën për këtë mision. Për katër dëshmorët e 7 gushtit të 2009-ës, ky qytet ka rezervuar një respekt të veçantë për t’i përjetësuar në emra rrugësh, në një kryqëzim në Njësinë Administrative numër 1. Katër heronj që në mëngjes puthën bashkëshortet dhe fëmijët për të shkuar në punë dhe nuk u kthyen më, në një betejë me krimin dhe një betejë me një Shqipëri që gjithmonë e më shumë duam ta lëmë pas, për një Shqipëri që gdhihet gjithmonë e më e sigurt, falë kontributit të tyre, dhe falë atyre që dhanë jetën”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se një dëshmor i Atdheut nuk do të jetë asnjëherë një statistikë. Ai siguroi për mbështetje dhe përkrahje të familjarëve të dëshmorëve të atdheut.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, vlerësoi për bashkëpunimin Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme.
“Falënderojmë Këshillin Bashkiak, ju personalisht për vendimin e parë që morët në vendosjen e emrave të rrugëve të qytetit të Tiranës, të kryeqytetit të Shqipërisë, për Dëshmorët e Atdheut. Kjo tregon sensibilitetin që jo vetëm pushteti vendor, jo vetëm kryetarët e bashkive, kanë në këtë drejtim, por edhe vlerësimin që ata kanë për punonjësit e Policisë të rënë në krye të detyrës. Policia e Shtetit është në avangardë të punëve në drejtim të sigurisë dhe të rendit publik, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Dervishaj.
Këshilli Bashkiak vlerësoi se misioni i 4 dëshmorëve do të kujtohet përjetësisht si shembull i guximit dhe vullnetit, deri në vetëflijim, për të mirën e përgjithshme dhe për një ideal të lartë, siç është lufta ndaj krimit dhe së keqes.



