
Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka caktuar masën e sigurisë “arrest e burg” për 47-vjeçarin Hekuran Marku, ish-truprojë i Saimir Tahirit, në kohën kur ishte ministër i Brendshëm.
Masa e sigurisë u dha nga GJKKO paraditen e së shtunës, teksa një ditë më parë u ekstradua nga Gjermania.
Duke folur nga ambientet e jashtme të gjykatës, avokati i Markut deklaroi se klientit të tij iu komunikua masa e sigurisë e caktuar në mungesë.
Ai bëri të ditur se Hekuran Marku ka nisur punën në vitin 2013 si pjesë e Gardës në cilësinë e truprojës së ish-ministrit Saimir Tahiri.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të operacionit “Shpirti”, i ka caktuar Markut, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Operacioni “Shpirti” u zhvillua në fillim të muajit korrik të viti të kaluar në katër shtete të ndryshme përfshirë dhe Shqipërinë, ku mes 38 urdhër-arresteve, ishin të përfshirë dhe ish-truprojat e Tahirit, Hekuran Marku dhe Agustin Deda.



