
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër njoftoi se specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban kanë arrestuar në flagrancë shtetasin D. B., 36 vjeç, banues në Përmet, pasi mëngjesin e djeshëm ka shkaktuar një aksident tragjik në aksin rrugor "Këlcyrë-Përmet".
D. B. ishte duke drejtuar një furgon në gjendje të dehur kur ka aksidentuar shtetasin R. N., 71 vjeç, banues në Përmet, i cili po udhëtonte me biçikletë.
Si pasojë e përplasjes, 71-vjeçari ka humbur jetën në spital, pasi nuk ka mundur të mbijetojë nga plagët e marra.
Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje dhe shtetasi D. B. është vënë në pranga për veprat penale "Shkaktimi i aksidentit me pasoja vdekjeje" dhe "Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur".
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.



