Një aksident i pazakontë dhe i rëndë ka ndodhur rreth mesditës së kësaj të premteje në aksin rrugor Lushnje-Berat, pranë fshatit Fiershegan, ku një mjet i rëndë ka shkaktuar kaos në rrugë dhe është larguar nga vendngjarja.
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje, një trajler me targa shqiptare, i cili po udhëtonte nga Berati në drejtim të Lushnjes, ka marrë përpara dy automjete. Fillimisht, mjeti i rëndë ka aksidentuar një makinë që ishte në lëvizje e sipër dhe më pas ka përplasur fort një tjetër mjet të parkuar anës rrugës, pranë një banese.
Ajo që ka bërë më shumë përshtypje dhe ka alarmuar dëshmitarët ka qenë reagimi i drejtuesit të trajlerit. Pas përplasjes së dyfishtë, ai nuk ka ndaluar aspak për të parë pasojat apo për të dhënë ndihmë, por ka shtypur gazin duke vazhduar rrugën me shpejtësi.
Menjëherë pas njoftimit për aksidentin, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë. Efektivët kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në kërkim të mjetit të rëndë, i cili deri më tani është larguar në drejtim të paditur.
Ndërkohë, po sekuestrohen kamerat e sigurisë të bizneseve apo banesave pranë rrugës për të bërë të mundur identifikimin e plotë të targës dhe kapjen e shoferit.



