Një alarm për bombë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Toptani Shopping Center, duke shkaktuar ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave të sigurisë.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 20:10, shtetasi A.D., me detyrë shef i sigurisë në këtë qendër tregtare, ka njoftuar sallën operative të DVP Tiranë se në adresën e tij elektronike kishte mbërritur një mesazh kërcënues.
Në email pretendohej se në ambientet e qendrës ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila do të shpërthente në orën 20:30.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, Forcat Xheniere dhe strukturat Antiterror, të cilat kanë kryer kontroll të imtësishëm në të gjithë ambientet e qendrës tregtare.
Nga verifikimet e kryera nuk është konstatuar asnjë mjet apo lëndë e dyshimtë, duke bërë që alarmi të konsiderohet i rremë.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për identifikimin e personit që ka dërguar emailin kërcënues, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.



