
Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së premtes në Laç, ndërsa i lënduar ka mbetur edhe vëllai i tij.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë së Tiranës, sot rreth orës 03:00, në spital janë paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi K. Rr. (L.), banues në Laç, i dëmtuar në këmbë, i dyshuar si pasojë e një plage me armë zjarri, si dhe vëllai i tij, shtetasi K. G. (L.), i cili ka pësuar një dëmtim në këmbë.
Bëhet me dije se të dy shtetasit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ata kanë deklaruar para hetuesve se janë sulmuar nga disa persona të panjohur në ambientet e jashtme të një subjekti në rrugën “Faik Konica”.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.



