
Kontrollet në terren, si dhe mbështetja e inteligjencës policore, bënë të mundur goditjen e katër rasteve të veprimtarive kriminale të kultivimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe të posedimit të sendeve të kundraligjshme, duke vënë në pranga 3 persona dhe proceduar në gjendje të lirë një tjetër. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” , si rezultat i kontrolleve për garantimin e rendit publik dhe për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe falë mbështetjes së inteligjencës policore, kanë goditur 4 raste të paligjshmërive të ndryshme, për të cilat: -u arrestua shtetasi S. M., 48 vjeç, pasi në tokën në pronësi të tij, në fshatin Mbers, Roskovec, u gjetën të kultivuara 40 bimë narkotike kanabis sativa; - u arrestua shtetasi E. Sh., 30 vjeç, banues në Patos, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin ky shtetas lëvizte, shërbimet e policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, të ndarë në doza të gatshme për shitje, 30 fishekë arme gjahu dhe një elektroshok; -u arrestua shtetasi R. O., 27 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin ky shtetas lëvizte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis sativa, të ndarë në doza të gatshme për shitje; -u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. S., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



