
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në një subjekt minerar në Bulqizë, ku një punëtor 50-vjeçar ka humbur jetën, dyshohet si pasojë e një aksidenti gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 të datës 24 shtator 2025, në ambientet e brendshme të një kompanie minerare në këtë zonë.
“Dyshohet se është aksidentuar gjatë punës dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi K.D., rreth 50 vjeç, punonjës në këtë subjekt,” – thuhet në njoftim.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur grupi hetimor dhe prokuroria, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.



