
Dy punonjës të Policisë në Korçë janë pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në këtë qytet. Sipas informacioneve të policisë, masa është marrë nga Kryekomisar B. L., 62 vjeç, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Korçë dhe Komisar Q. H., 45 vjeç, me detyre Shef i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë.
Pezullimi i punonjësve të policisë është kryer në kuadër të procedimit penal nr.51 viti 2022 regjistruar mbi bazën e materialit të referuar nga Sektori i Hetimit në Drejtorinë Rajonale të AMP Elbasan-Korçë, ndërsa veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta punonjës policie, me mosveprim dhe në kundërshtim me ligjin kanë shpërdoruar detyrën duke mos arrestuar dhe proceduar penalisht shtetasin S. G., shtetas ky i kapur në kushtet e flagrancës nga patrulla e policisë larg banesës së tij më datë 14.01.2022, duke thyer masën e “Arrestit në Shtëpi” dhënë nga Gjykata e Tiranës, si i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 298/3 “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Hetimet në lidhje me rastin vazhdojnë.



