
Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e Fredi Belerit, i cili kërkoi shfuqizimin e dekretit të Bajram Begajt për mbajtjen e zgjedhje të pjesshme të 4 gushtit në Himarë.
Edhe një herë sot avokatja Klodiana Gjyzari kërkoi shfuqizimin e dekretit të Presidentit, që dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë Himarë më 4 gusht.
Ajo kërkoi sakaq sigurimin e padisë dhe rrjedhimisht pezullimin e çdo efekti të dekretit të kreut të shtetit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Ndërkaq përfaqësuesja e Presidencës tha se “kreu i shtetit u vu në lëvizje pasi organi kompetent shpalli vakancën, e po ashtu një organ tjetër kompetentet e njoftoi zyrtarisht”.
Ajo kërkoi që paditësi Fredi Beleri nuk duhet të legjitimohet si palë. “PBDNJ ka njohur datën gusht sepse ka vijuar me regjistrimin e kandidatit dhe fushatën”.
Përfaqësuesi i Avokaturës së Shtetit tha se: “As Fredi Beleri, as PBDNJ, nuk duhet të legjitimohen si palë”.



