
Policia e Gjirokastrës ka bërë të ditur se falë operacionit policor të koduar "Medicines" ka evidentuar një rast të tregtimit të medikamenteve mjekësore të dyshuara të kontrabanduara.
Me këtë rast ka proceduar penalisht dy shtetaset:
- I. S., 37 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë" dhe "Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë". Gjatë kontrollit në automjetin e kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në farmacinë e saj;
- N. A., 44 vjeçe, banuese në Gjirokastër, për veprën penale "Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë". Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin (dyqanin) në pronësi të kësaj shtetaseje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi medikamentesh mjekësore, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat kjo shtetase i shiste në këtë dyqan.
Vijon puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



