Një konflikt i dhunshëm është regjistruar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00, në lagjen nr. 3 të qytetit të Sarandës, në zonën e njohur si “Ekualipsi”.
Sipas informacioneve paraprake, disa persona janë përfshirë në një përplasje për motive të dobëta, duke u goditur mes tyre me grushte dhe sende të forta.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Sarandës, të mbështetura edhe nga efektivë të FNSH-së. Si rezultat i ndërhyrjes, 6 shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme procedurale.
Burime paraprake bëjnë me dije se disa prej personave të përfshirë në konflikt janë paraqitur në Spitalin e Sarandës për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë.



